Inxhinieri · Studime gjeologjike dhe gjeoteknike

Para se të projektohen themelet, duhet ditur çfarë ka nën truall. Studimi gjeologjiko-inxhinierik tregon shtresat e dheut dhe të shkëmbit, nivelin e ujërave nëntokësore dhe vetitë fizike e mekanike të çdo shtrese, që konstruktori t’i projektojë themelet mbi të dhëna të matura dhe jo mbi supozime.

SARP & LAB e realizon studimin nga fillimi në fund me ekipin dhe pajisjet e veta: shpimet me sondën tonë, provat në terren, sondazhin gjeofizik MASW dhe provat e mostrave në laboratorin tonë të akredituar sipas ISO/IEC 17025. Të gjitha përmblidhen në një raport të vetëm gjeologjik, gjeoteknik dhe sizmik për të njëjtin truall.

21prova dheu dhe shkëmbi të akredituara
ISO/IEC 17025certifikata DPA LT 069, e vlefshme deri më 07.06.2029
Vs,30e matur në terren me MASW 24-kanalësh
1 raportgjeologjik, gjeoteknik dhe sizmik për të njëjtin truall

Kur nevojitet studimi gjeologjik

  • Ndërtime të reja. Sipas VKM nr. 1162, datë 24.12.2020, për lejen e ndërtimit nevojiten studimi gjeologjiko-inxhinierik dhe vlerësimi sizmik i sheshit. Ne i hartojmë të dyja për të njëjtin truall.
  • Projektimi i themeleve. Konstruktori ka nevojë për parametrat e dheut (kohezionin, këndin e fërkimit, ngjeshshmërinë) për të zgjedhur llojin e themelit dhe për të llogaritur uljet.
  • Rrugë, sheshe dhe mbushje. Klasifikimi i dheut, Proctor dhe CBR për projektimin, pastaj kontrolli i ngjeshjes në çdo shtresë.
  • Ndërtesa ekzistuese. Shtesa katesh, ndryshim funksioni ose plasaritje nga uljet e themeleve kërkojnë të njihet trualli ku mbështetet ndërtesa.

Çfarë përfshin studimi

Programi përshtatet me objektin dhe me gjeologjinë e zonës. Një studim i plotë ka këto pjesë:

Pjesa Kush e kryen Çfarë jep
Studimi paraprak SARP Gjeologjia dhe tektonika rajonale, hartat dhe studimet e mëparshme për zonën.
Pozicionimi dhe siguria SARP Pozicionim me GPS, rilevim me dron dhe skanim me georadar (GPR) i çdo pike shpimi për rrjetet nëntokësore.
Shpimet dhe marrja e mostrave SARP, me sondën dhe ekipin tonë të shpimit Shpime rrotulluese me bërthamë të vazhdueshme Ø100 mm, prova SPT, mostra të prishura dhe të paprishura, kolona litologjike e çdo shpimi.
Ujërat nëntokësore SARP Niveli i ujit, piezometra me monitorim dhe analiza kimike e ujit për agresivitetin ndaj betonit (EN 206).
Provat laboratorike Laboratori SARP, i akredituar ISO/IEC 17025 Klasifikimi i dheut, rezistenca në prerje, ngjeshshmëria dhe vetitë e shkëmbit.
Provat në terren SARP, prova të akredituara në terren Moduli i deformimit me pllakë statike dhe dinamike, DCP, rezistenca në prerje me vane dhe dendësia me kon rëre.
Gjeofizika MASW SARP Profili i shpejtësisë së valëve tërthore Vs me thellësinë, Vs,30 dhe kategoria e truallit sipas Eurokodit 8.
Studimi sizmik SARP Rrezikshmëria sizmike dhe spektrat e projektimit sipas EC8 dhe KTP-N2-89. Shihni Vlerësimi sizmik.
Sondazh MASW në terren: sizmografi 24-kanalësh dhe linja e gjeofonëve
Sondazh MASW në një shesh ndërtimi: sizmografi 24-kanalësh dhe linja e gjeofonëve përgjatë gjurmës së objektit.
Spektri i dispersionit me kurbën e modit themelor
Spektri i dispersionit nga përpunimi MASW, nga i cili del profili Vs i truallit.

Si kryhet puna në terren

Puna në terren ndjek BS 5930:2015 dhe EN 1997-2. Programi, me numrin, pozicionin dhe thellësinë e shpimeve, ju dërgohet për miratim para mobilizimit.

Studimi paraprak dhe siguria

  • Shqyrtim i hartave gjeologjike, gjeologo-inxhinierike dhe hidrogjeologjike, i studimeve të mëparshme në zonë dhe i projektit arkitektonik.
  • Pozicionim i pikave me GPS dhe matje e koordinatave dhe kuotave në sistemin KRGJSH-2010.
  • Skanim me georadar (GPR) i çdo pike shpimi dhe kontroll i linjave ajrore, për të mbrojtur personelin dhe rrjetet fqinje.
  • Vlerësim i rrezikut dhe metoda e punës (RAMS) për sheshin, rrethim i zonës së punës dhe pajisje mbrojtëse personale.

Shpimet dhe kampionimi

  • Shpime rrotulluese me marrje të vazhdueshme bërthame Ø100 mm, sipas BS 5930 dhe EN ISO 22475-1.
  • Përshkrim i bërthamave në terren nga inxhinieri gjeolog sipas EN ISO 14688 dhe 14689; bërthamat vendosen në kuti të etiketuara dhe fotografohen.
  • Prova SPT sipas EN ISO 22476-3, çdo 1.5 m në dhera dhe në çdo ndryshim shtrese.
  • Mostra të paprishura në dherat kohezivë (Kategoria A, Klasa 1–2 sipas EN ISO 22475-1), të vulosura menjëherë që të ruajnë lagështinë dhe strukturën.
  • Mbushje e shpimeve me përzierje çimento-bentoniti dhe rikthim i sheshit në gjendjen fillestare.

Ujërat nëntokësore

  • Regjistrim i hasjeve të ujit dhe i nivelit në fillim e në fund të çdo dite pune.
  • Piezometra Ø50 mm me filtër, mbushje rëre dhe tapë bentoniti, me vizita monitorimi (p.sh. pas 24 orësh, 7 dhe 30 ditësh) për nivelin projektues të ujit.
  • Analiza kimike e ujit (pH, sulfate, klorure, magnez, amoniak, CO₂ agresiv) sipas EN 206, Tabela 2, për klasën e ekspozimit të betonit.

Gjeofizika

  • Profile sizmike MASW me sizmograf 24-kanalësh dhe gjeofonë 4.5 Hz, për profilin Vs me thellësinë dhe Vs,30.
  • Sipas nevojës, matje HVSR me mikrotremorë për periodën themelore të truallit.

Sa thellë duhet shpuar?

Thellësia përcaktohet sipas EN 1997-2, Aneksi B.3, nga lloji dhe përmasat e themelit. Për një themel pllakë (radier), për shembull, rekomandohet që investigimi të shkojë së paku 1.5 herë gjerësinë e themelit nën kuotën e tij, ose deri në një shtresë të qëndrueshme me trashësi të provuar.

Me kate nëntokë kuota e themelit zbret disa metra nën terren, ndaj edhe shpimet duhet të jenë më të thella. Nëse shtresa e qëndrueshme nuk arrihet, thellësia rritet në terren në marrëveshje me klientin. Profili Vs nga MASW deri në 30 m tregon nëse ka shtresa më të dobëta nën zonën e shpuar, por nuk e zëvendëson shpimin.

Trualli në bregdetin e Durrësit

Në zonën bregdetare të Durrësit (Kallm, Plazh, Golem) priten zakonisht depozitime kuaternare të shkrifëta (rëra, rëra alevritore, argjila të buta), ujë nëntokësor i cekët me klorure dhe sulfate, dhe sizmicitet i lartë: kjo është zona e tërmetit të 26.11.2019 (Mw 6.4). Për këto sheshe programi ynë përfshin:

  • prova SPT çdo 1.5 m për dendësinë e rërave;
  • piezometra dhe monitorim të nivelit të ujit;
  • analiza kimike të ujit dhe të dheut për agresivitetin ndaj betonit;
  • vlerësimin e lëngëzimit të rërave të ngopura sipas EN 1998-5.

Provat e akredituara të dheut dhe shkëmbit

Provat më poshtë janë në fushën e akreditimit të laboratorit tonë (DPA, certifikata LT 069). Standardet, diapazonet dhe mostrat që duhen janë në faqet Testimi gjeoteknik dhe Testimi i shkëmbinjve natyrorë.

Dheu: në laborator

  • Lagështia natyrore dhe dendësia
  • Granulometria me sita dhe me hidrometër
  • Kufijtë e Atterberg-ut (rrjedhshmërisë dhe plasticitetit)
  • Proctor: dendësia maksimale e thatë dhe lagështia optimale
  • CBR (raporti kalifornian i mbajtjes)
  • Prerja direkte: kohezioni dhe këndi i fërkimit
  • Konsolidimi njëdimensional (edometri)
  • Rezistenca në tërheqje indirekte e përzierjeve të stabilizuara

Dheu në terren dhe shkëmbi

  • Prova me pllakë statike (Ev1/Ev2) dhe dinamike (Evd)
  • Penetrometri dinamik me kon (DCP)
  • Rezistenca në prerje pa drenim, me vane portative
  • Dendësia në vend me kon rëre
  • Shkëmbi: rezistenca në shtypje njëboshtore
  • Shkëmbi: dendësia reale dhe e dukshme dhe poroziteti i hapur
  • Shkëmbi: thithja e ujit dhe lagështia natyrore

Programi tipik laboratorik për një studim themelesh

Programi final caktohet pasi përshkruhen mostrat. Provat e akredituara janë ato të listuara më lart; për çdo provë tjetër raporti tregon standardin e përdorur.

Prova Standardi i referencës
Lagështia natyrale EN ISO 17892-1 / ASTM D2216
Dendësia natyrale EN ISO 17892-2
Dendësia e grimcave EN ISO 17892-3
Granulometria (sita dhe hidrometër) EN ISO 17892-4 / ASTM D7928
Kufijtë e Atterberg-ut EN ISO 17892-12 / ASTM D4318
Prerja direkte (e konsoliduar, e drenuar) EN ISO 17892-10 / ASTM D3080
Ngjeshja edometrike, me presion bymimi kur nevojitet EN ISO 17892-5 / ASTM D2435
Shtypja njëboshtore e dheut ose e shkëmbit EN ISO 17892-7 / ISRM
Analiza kimike e dheut (sulfate, klorure, pH) BS 1377-3 / BRE SD1
Analiza kimike e ujit nëntokësor EN 206, Tabela 2
Sipas nevojës: triaksial UU / CU EN ISO 17892-8 / -9

Çfarë merrni: dy raporte të koordinuara

Për të njëjtin truall dorëzojmë dy raporte në shqip (në anglisht sipas kërkesës), në PDF dhe Word, të nënshkruara dhe të vulosura.

Raporti gjeologo-inxhinierik (BS 5930, EN 1997-2)

  • Planimetria e pikave të investigimit dhe hartat gjeologjike e hidrogjeologjike të zonës.
  • Gjeologjia rajonale, tektonika dhe hidrogjeologjia e sheshit.
  • Regjistrat e shpimeve, prerjet dhe korrelimi stratigrafik, fotografitë e bërthamave.
  • Rezultatet dhe certifikatat e laboratorit; provat e akredituara mbajnë shenjën e akreditimit.
  • Niveli i ujërave nëntokësore dhe agresiviteti i tyre ndaj betonit.
  • Modeli gjeoteknik me parametrat karakteristikë të çdo shtrese: c′, φ′, moduli i deformimit, pesha volumore, ngarkesa e lejuar.
  • Rekomandime për themelet, uljet, gërmimet dhe mbrojtjen e skarpatave, kullimin dhe klasën e ekspozimit të betonit (EN 206).

Studimi inxhiniero-sizmologjik (EN 1998-1, KTP-N2-89)

  • Sizmiciteti dhe tektonika e zonës.
  • Profili MASW: Vs me thellësinë dhe Vs,30.
  • Kategoria e truallit sipas EC8 dhe KTP-N2-89.
  • Rreziku sizmik për periudhat e përsëritjes 95 dhe 475 vjet.
  • Spektrat elastikë horizontal dhe vertikal dhe perioda e truallit.
  • Vlerësimi i lëngëzimit sipas EN 1998-5, kur trualli e kërkon.

Të dhënat e shpimeve dhe të laboratorit i dorëzojmë edhe në format digjital (AGS4 ose Excel), që projektuesi t’i përdorë drejtpërdrejt. Draft-i i raporteve ju dërgohet për komente para lëshimit përfundimtar.

Standardet që ndjekim

Fusha Standardet
Investigimi dhe përshkrimi BS 5930:2015+A1:2020; EN ISO 14688-1/-2:2018; EN ISO 14689:2018
Kampionimi dhe ujërat nëntokësore EN ISO 22475-1; EN ISO 22282
Provat në terren EN ISO 22476-3 (SPT); EN ISO 22476-1 (CPTu)
Provat laboratorike Seria EN ISO 17892; ASTM; BS 1377
Projektimi gjeoteknik EN 1997-1 dhe EN 1997-2 (Eurokodi 7)
Projektimi sizmik EN 1998-1 dhe EN 1998-5 (Eurokodi 8); KTP-N2-89
Agresiviteti ndaj betonit EN 206 / SSH EN 206; BRE SD1
Baza ligjore VKM nr. 1162, datë 24.12.2020

Shërbime shtesë sipas nevojës

  • Prova CPTu dhe shpime më të thella se 30 m.
  • Prova përshkueshmërie Lefranc (EN ISO 22282).
  • Prova me pllakë në terren.
  • Monitorim afatgjatë i ujërave nëntokësore.
  • Mbikëqyrje gjeologjike gjatë gërmimit dhe pranimi i tabanit të themeleve.
  • Asistencë teknike për projektuesin pas dorëzimit të raportit.

Si punojmë

Na dërgoni të dhënat

Vendndodhjen ose planin e truallit, katet mbi dhe nën tokë, llojin e parashikuar të themelit dhe aksesin në shesh.

Studimi paraprak dhe programi

Shqyrtojmë hartat dhe studimet e zonës dhe ju dërgojmë për miratim programin: shpimet, thellësitë, provat dhe profilat MASW.

Puna në terren

Shpimet, SPT, kampionimi, piezometrat dhe MASW. Gjatë punës merrni një raport të shkurtër ditor të progresit.

Laboratori

Provat e mostrave në laboratorin tonë në Vrrin, Autostrada Durrës–Tiranë, km 29.

Draft dhe raporti final

Draft-i për komente, pastaj raportet e nënshkruara, të koordinuara me studimin sizmik.

Pyetje të shpeshta

Cili është ndryshimi midis studimit gjeologjik dhe atij sizmik?

Studimi gjeologjiko-inxhinierik përshkruan shtresat e truallit dhe vetitë e tyre për projektimin e themeleve. Studimi sizmik përcakton veprimin sizmik të sheshit: Vs,30, kategorinë e truallit dhe spektrat e projektimit. Për një ndërtim të ri zakonisht duhen të dyja; ne i bëjmë për të njëjtin truall dhe i koordinojmë në një raport.

Sa sondazhe duhen për truallin tim?

Varet nga sipërfaqja dhe lartësia e objektit, nga bodrumet dhe nga gjeologjia e zonës. Programin ua propozojmë pasi shohim vendndodhjen dhe projektin.

Sa thellë do të jenë shpimet?

Sipas EN 1997-2 thellësia varet nga lloji, gjerësia dhe kuota e themelit. Për një themel pllakë rekomandohet të paktën 1.5 herë gjerësia e themelit nën kuotën e tij, ose deri në një shtresë të qëndrueshme. Thellësinë e saktë e propozojmë në programin e studimit.

A i shponi vetë sondazhet?

Po. Gjithçka e kryejmë vetë: shpimet me sondën dhe ekipin tonë, provat në terren, gjeofizikën MASW, provat në laboratorin tonë të akredituar dhe raportin. Keni një pikë kontakti të vetme nga programi deri te raporti final.

A janë të akredituara provat?

Po. Provat e dheut dhe të shkëmbit të listuara në këtë faqe janë në fushën e akreditimit ISO/IEC 17025 të laboratorit tonë (DPA, certifikata LT 069, e vlefshme deri më 07.06.2029). Për çdo provë tjetër raporti tregon standardin e përdorur.

A e bëni studimin edhe për rrugë dhe mbushje?

Po. Për rrugë dhe sheshe bëjmë klasifikimin e dheut, Proctor dhe CBR për projektimin, dhe më pas kontrollin e ngjeshjes në çdo shtresë me pllakë, kon rëre dhe DCP.

Pse niveli i ujit matet edhe pas shpimit?

Gjatë shpimit përdoret ujë për të ftohur veglën, dhe kjo mund të fshehë hasjet e ujërave nëntokësore. Prandaj niveli kontrollohet sërish pas 24 orësh, dhe për projektim më mirë me piezometra dhe disa vizita monitorimi.

A duhet vlerësimi i lëngëzimit?

Në rërat e ngopura dhe të shkrifëta, si në bregdetin e Durrësit, po. E vlerësojmë sipas EN 1998-5 nga provat SPT, granulometria dhe niveli i ujit, dhe rezultati jepet në studimin sizmik.

Në çfarë gjuhe dhe formati jepet raporti?

Në shqip, dhe në anglisht sipas kërkesës, në PDF dhe Word, i nënshkruar dhe i vulosur. Të dhënat e shpimeve dhe të laboratorit jepen edhe në AGS4 ose Excel.

Shërbime të lidhura

Planifikoni një ndërtim? Na dërgoni vendndodhjen dhe projektin. Ju propozojmë programin e studimit dhe çmimin.

+355 67 202 2609WhatsAppNa kontaktoni